Prizren, 30 prill – Drejtuesit e festivalit tradicional folklorik "Hasi Jehon" kanë deklaruar se janë duke finalizuar përgatitjet për edicionin XXI të kësaj ngjarjeje kulturore, që mbahet nga 2 deri më 4 maj në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Në këtë manifestim të valleve dhe këngëve burimore shqiptare, sipas udhëheqësve të shoqërisë kulturore artistike "Malësori", në konkurrencën garuese do të paraqiten mbi 20 grupe të valltarëve, si dhe pesë rapsodë individualë, bashkë me mysafirë të tjerë të ftuar.
"Edhe këtë edicion do të kemi risi dhe befasi për publikun. Në garë do të jenë afro 20 grupe dhe SHKA, si dhe pesë rapsodë. Me kënaqësi e paralajmërojmë edhe ardhjen e solistëve të njohur si Shkurte Fejza, Istref Duraj, etj.", ka thënë drejtori i Festivalit, Haziz Hodaj, gjatë një konference për shtyp. Ai ka sqaruar se në natën e hapjes do të paraqiten artistët e SHKA-së "Shota" dhe të SHKA-së "Malësori", që njëkohësisht është edhe nikoqir i festivalit, derisa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe tri grupe nga Maqedonia (një ndër ata edhe SHKA "Jahi Hasani" - Çegran,) tri nga Shqipëria dhe një nga Tuzi i Malit të Zi. Sipas tij, gjatë këtyre ditëve do të organizohen edhe dy panaire, njëra që u dedikohet prodhimeve të bukës dhe tjetra me fotografi të aktiviteteve të shoqatës nga Gjonaj, ndërkohë që do të promovohet edhe monografia "Jehon hasjanja e kulturës". Edicioni i sivjetmë i këtij manifestimi është mbështetur edhe nga Komuna e Prizrenit, e cila ka dhënë 3 mijë euro.


Gostivar, 29 prill - Manifestimet e shumta brenda muajve të kaluara, kanë shtuar aktivitetet dhe përgatitjet e nevojshme brendapërbrenda Shoqërisë Kulturo Artistike “Jahi Hasani”, nga fshati Çegran. Shumë aktivitete të realizuara brenda muajve të kaluara si dhe aktivitetet e parapara për muajt në vijim, kanë bërë që hapësirat e Shoqërisë Kulturo Artistike “Jahi Hasani”, të jenë të frekuentuara thuajse për çdo ditë.

Kryetari i Shoqërisë Kulturo Artistike “Jahi Hasani”, Zani Mehmeti, thekson se brenda katër muajve të para të vitit, shoqëria ka marrë pjesë në tre evenimente të ndryshme kulturore, disa nga këto me karakter human, siç ishte koncerti humanitar në ndihmë të vogëlushes Shadije Fetai.
Pjesëmarrja dhe prezantimet e radhës nëpër evenimente të ndryshme kulturore, ka bërë që anëtarët e Shoqërisë Kulturo Artistike “Jahi Hasani”, nga fshati Çegran, ditëve të fundit të jenë aktiv në përgatitjet e tyre para ngjitjes në skenë, në më tepër manifestime, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Aktiviteti i radhës do të jetë gjatë muajt maj, me pjesëmarrjen e kësaj shoqërie në festivalin mbarëkombëtarë “Hasi Jehon” që do të mbahet në Prizren të Kosovës.
Ndër pikat më të rëndësishme të programit artistik Shoqërisë Kulturo Artistike “Jahi Hasani”, nga fshati Çegran, vazhdon të mbetet vallja popullore e njohur si Vallja e Rudinës, veçoritë e së cilës, në shumë manifestime kulturore kanë sjellë shpërblime për këtë shoqëri.
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...