Sheshi i qytetit, “Iliria”në Tetovë, ditë më parë ishte arena kulturore e zhvillimit të festivalit të njëmbëdhjetë të folklorit të përpunuar “Burimet e Sharrit” 2012, festival i cili këtë vit iu dedikua 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.
Performancat e grupeve artistike të ardhura nga Struga, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kaçaniku dhe Drenasi, gjatë natës së 2 qershorit Tetovës i dhanë një atmosferë festive e cila vazhdoi gjerë në orët e para të mëngjesit. Me përfundimin e festivalit, festivalistët nuk mbetën vetëm me kaq. Ata në hotel “Liraku” vazhduan me mbrëmjen gazmore, ku me këtë rast, Juria e formuar nga shtatë përfaqësuesit e grupeve artistike, shpalli dhe ndau rezultatet e garimit. Kështu, çmimi special “Burimet e Sharrit” iu nda Ansamblit “Ibe Palikuqa” nga Shkupi, çmimi “Koreografia më e mirë”, i takoi Ansamblit “Karshiaka” nga Shkupi, çmimi ”Margaritar i kulturës popullore”, iu nda ansamblit “Shotë Galica” nga Drenasi, i Kosovës, pastaj çmimi ”Ansambli më i kompletuar”, u shpall Ansambli “Gryka e Kaçanikut” nga Kaçaniku...