U mbajt festivali i vjeljes
10.10.2011
Të shtunën në Gostivar u organizua Festivali i vjeljes, manifestim ky i dedikuar për ushqimin e shëndetshëm dhe shpirtin sportiv. Pjesëmarrësit dhe vizitorët morën pjesë në aktivitete të ndryshme - vrap nëpër rrugët e qytetit, prezantim i prodhimeve organike, ekspozitë me fotografi dhe lojëra zbavitëse për fëmijë. Prezantimi i produkteve organike dhe ekspozita e fotografive me rastin e 50 vjetorit të Korpusit Amerikan të Paqes, të planifikuara për në sheshin e qytetit, për shkak të motit me shi, u mbajtën në hollin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, ku garuesve më të suksesshëm në maratonën në 5 km, iu ndanë medalje dhe mirënjohje.
"I përgëzoj organizatorët për mbarëvajtjen e këtij eventi, ndërsa garuesit për suksesin dhe qëndrueshmërinë e treguar. Jam veçanërisht i kënaqur që në maratonë kishim edhe përfaqësues tonin i cili me sukses mbrojti dinjitetin e administratës komunale", theksoi sekretari i komunës, Naxhi Xhelili. Ai njoftoi se vitin e ardhshëm, për këtë festival i cili tashmë shndërrohet më tradicional, Komuna e Gostivarit do të japë mbështetje më të fortë financiare dhe logjistike.
Manifestim, sivjet për herë të dytë e organizoi Shoqata Rajonale e Mbarështuesve të Dhenve në Maqedoninë Perëndimore, ndërsa e mbështetën Komuna e Gostivarit dhe të Korpusi Amerikan i Paqes (Peace Corps). Ekspozitën me fotografi të Korpusit të Paqes, në ditët e ardhshme qytetarët do të mund ta vizitojnë në Pres qendrën e Komunës së Gostivarit. |